Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi një ditë më parë ka qëndruar në Francë ku ka zhvilluar disa takime të rëndësishme zyrtare.
Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka thënë se të enjten ka zhvilluar disa takime në Senat, në Parlament dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Ai po ashtu theksoi se me Kabinetin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Francës diskutuan për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe qëndrimet e PDK-së në raport me to.
“Në Senat, pata nderin të pritem dhe të diskutoj me senatoren Laure Darcos, përgjegjëse për Kosovën në grupin e miqësisë Francë – Ballkan, ndërkaq, në Parlament takova deputetin Jean-Philippe Ardouin, udhëheqës i grupit të miqësisë Francë – Kosovë.
Senatoren Darcos dhe deputetin Ardouin i falelënderova për miqësinë dhe mbështetjen tyre ndaj Kosovës, duke theksuar se qytetarët e Kosovës i janë mirënjohës Francës për ndihmën dhe kontributin në të gjitha etapat e shtetndërtimit. Në këto takime, po ashtu, shpreha bindjen se bashkëpunimi ndër-parlamentar ndërmjet dy shteteve tona duhet të thellohet.
Ndërkaq, me Kabinetin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, ku u takova me Adrien Frier, diskutuam për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe qëndrimet e PDK-së në raport me to”, ka shkruar Krasniqi.
Krasniqi tha se për PDK-në, qasja e Qeverisë së Kosovës në raport me aleatët është e papranueshme, e gabuar dhe si e tillë po e vë në rrezik edhe sigurinë dhe të ardhmen e vendit tonë.
“Prandaj, sot, Kosova ka nevojë për një Qeveri të re, me qasje ndryshe, dhe e cila kthen në binarë rrugëtimin e shtetit tonë drejt integrimit euro-atlantik dhe kursit pro-perëndimor”, ka shkruar Krasniqi në Facebook. /Telegrafi/