Ka përfunduar vizita e delegacionit të lartë të politikanëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, në krye me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin, në ambientet e fabrikës Comodita.
Ahmeti bashkë me kabinetin qeveritar e kryetarin e kuvendit, Talat Xhaferin, u priten në fabrikën Comodita nga pronari i Devolli Corporation, Shkëlqim Devolli si dhe drejtuesit e stafi i fabrikës.
Pas vizitës në fabrikë, kryetari i BDI-së tha se “nuk ka pasuri më të madhe për vendin sesa këta njerëz që rrezikojnë me investimet e tyre, kapitalin e energjitë e tyre që t’u hynë në shërbim njerëzve”.
“Me të gjithë ekipin nga Maqedonia e Veriut, kabinetin qeveritar, kryetarin e Kuvendit, erdhëm për të parë këtë madhështi, gjithë këtë investim kaq të madh për Kosovën, ku 5 mijë familje hanë bukë nga ky organizim”, tha ai, raporton Klan Kosova.
“5 mijë familje organizojnë jetën, shkollën, prandaj pasuri më të madhe për vendin nuk ka sesa këta njerëz që rrezikojnë në investimet e tyre, kapitalin e tyre, energjitë e tyre mendore, njerëzore, që t’u hynë në shërbim njerëzve”, tha Ahmeti, duke iu referuar kompanisë Devolli Corporation.