Site icon Telegrafi

Pas vendimit të Trumpit për dërgimin e trupave ushtarake në Arabinë Saudite, Irani zotohet se do të “shkatërrojë çdo agresor”

Komandanti i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, Hossein Salami, pas vendimit të Trumpit për të shtuar prezencën ushtarake në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara, është zotuar se Irani do t’i kundërpërgjigjet çdo agresori.

“Keni kujdes, një agresion i kufizuar nuk do të mbetet me kaq. Ne do të ndjekim çdo agresor”, tha Salami gjatë në një adresim në televizionin shtetëror.

“Ne jemi kundër çfarëdo dënimi dhe do të vazhdojmë me shkatërrim të tërë të çdo agresori”, tha ai.

Irani kishte mohuar përfshirjen në sulmin ndaj rafinerisë së naftës në Arabinë Saudite, për të cilën SHBA e kishte akuzuar edhe pasi rebelët Huthi morën përgjegjësinë për sulmin.

Sulmi paralizoi rreth gjysmën e prodhimit të naftës në Arabinë Saudite, çfarë do të thotë ndërprerja më e madhe e furnizimeve botërore që është parë ndonjëherë.

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se kanë planifikuar të dërgojnë forca ushtarake në Arabinë Saudite, një ditë pas sulmit kundër rafinerisë së naftës.

Ministri i Mbrojtjes, Mark Esper, u tha gazetarëve se dërgimi i trupave do të ishte përgjigje ndaj kërkesës së Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara për t’ju ndihmuar në përmirësimin e sistemit ajror të mbrojtjes. Numri i trupave nuk është bërë i ditur ende.

Më herët të premtën, presidenti Trump ka njoftuar për sanksionet e nivelit më të lartë kundër Iranit, duke theksuar se do ta shmang konfliktin ushtarak.

“Sanksionet e reja do të fokusohen në Bankën Qendrore të Iranit dhe pavarësisë financiare”, kishte thënë Trump.

Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë foli për mundësinë e një takimi midis Trumpit dhe presidentit iranian, Hassan Rohani, i cili do të shënonte një kthesë të jashtëzakonshme në marrëdhëniet SHBA-Iran.

Exit mobile version