Telegrafi

Pas vendimit të Kushtetueses, Prizreni del nga karantina

Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, ka njoftuar se është shfuqizuar vendimi për karantinimin e Prizrenit, duke bërë që ky qytet sonte të dalë nga karantina.

“Sapo u njoftova nga Ministria e Shëndetësisë e cila ka shfuqizuar vendimin për karantinim të qytetit të Prizrenit. Në bisedë telefonike me ministrin Vitia, gjithashtu u njoftova se në Prizren janë duke u bërë një numër i madh i testeve, kryesisht të kontakteve të stafit mjekësor të Spitalit Regjional dhe të pacientëve e familjarëve të tyre”, ka thënë Haskuka.

Ai ka theksuar se numri i rasteve në ditët në vijim mund të rritet akoma më shumë, por MSh, do të ndërmerr masa të tjera me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejmë coronavirusit.

“Qëndroni në shtëpi. Mbroni veten dhe familjen tuaj!”, njofton Haskuka.

Ndërkaq  Kushtetuesja të premten e ka shpallur jo-kushtetues vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, që shpalli Prizrenin “zonë karantinë”.