Anija “Guardia costiera” është ajo që do të marr refugjatët që erdhën të mërkurën në Shqipëri, për t’i rikthyer në Itali.
Sipas informacioneve të siguruara nga Euronews Albania anija ka mbërritur dhe është ankoruar në Portin e Shëngjinit.
Të premten gjyqtarët e Seksionit të Emigracionit të Gjykatës së Romës kanë vendosur se 12 emigrantët e sjellë në Shqipëri duhet të kthehen në Itali, pavarësisht se kërkesat e tyre për azil janë refuzuar nga komisionet territoriale.
Gjykata e Romës nuk e vlerësoi të ligjshëm vendosjen e emigrantëve brenda qendrës italiane në Gjadër në Shqipëri.
Siç raportohej vendimi ishte i pritur, pasi kështu parashikohet në vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, marrë më 4 tetor, para nisjes së funksionimit të qendrave të pritjes në Shqipëri, nën juridiksionin italian.
Mëngjesin e të mërkurës anija “Libra” kishte mbërritur pranë brigjeve të portit të Shëngjinit me emigrantët e parë afganë. Anija ishte shoqëruar nga dy varka të tjera të policisë.
Ndryshe, marrëveshja për emigrantët ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë ishte arritur në parim në gusht të 2023, kur kryeministrja italiane Giorgia Meloni erdhi me traget nga Puglia për të pushuar me familjen e homologut shqiptar Edi Rama në Vlorë.
Marrëveshja më pas ishte nënshkruar në nëntor të 2023.
Porti i Shëngjinit parashihej të ishte porta hyrëse për emigrantët e paligjshëm që tentojnë të hyjnë në Evropë përmes Italisë, sipas protokollit për menaxhimin e fluksit të emigrantëve. /Telegrafi/