Telegrafi

Pas vaksinimit një përqindje e vogël e qytetarëve në Maqedoni janë infektuar me COVID-19, nga nesër vaksinimi edhe në shtëpi

Vetëm 0.02 përqind e qytetarëve të Maqedonisë u infektuan me coronavirus pas vaksinimit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Konkretisht, nga gjithsej 330.320 qytetarë që morën dy doza, 96 ishin pozitivë për Covid-19, njoftuan dje nga Ministria e Shëndetësisë.

Prej tyre, 56 u infektuan më pak se 21 ditë pasi morën dozën e dytë të vaksinës. Vetëm 13 nga ata të infektuar me Covid u shtruan në spital.

Dy prej tyre aktualisht janë duke marrë trajtim dhe janë të qëndrueshëm, megjithëse njëri prej tyre ka një sëmundje të rëndë kronike.

Nga MSH njoftojnë se asnjë pacient nuk ka vdekur nga Covid i cili ka marrë dy doza të vaksinës.

Ministria e Shëndetësisë vlerësoi se kjo përqindje tregon se sa e rëndësishme është që qytetarët të vaksinohen.

Për këtë qëllim, duke filluar nga nesër, qytetarët të cilët për arsye shëndetësore nuk janë në gjendje të vijnë në pikën e vaksinimit për të marrë vaksinën, mund të caktojnë vaksinimin në shtëpi.

Terminet bëhen duke telefonuar drejtpërdrejt në qendrat shëndetësore dhe ata mund të bëjnë të njëjtën gjë direkt duke u regjistruar në pikat e vaksinimit.

Ministria e Shëndetësisë dje njoftoi numrat e telefonit ku mund të caktohet vaksinimi në shtëpi./Telegrafi/