Një tjetër rekord për Lewis Hamiltonin në Garën për Çmimin e Madh të Spanjës që është zhvilluar të dielën në ‘Circuit de Barcelona-Catalunya’.
Piloti britanik dalëngadalë po shndërrohet në një prej pilotëve më të mirë në histori të Formula 1, pasi gjithnjë më shumë po thyen rekorde të legjendave dhe po vë të reja.
Hamilton triumfoi në garën e Spanjës, ndërkohë që e tejkaloi Michael Schumacherin për më së shumti podiume – ai ka përfunduar plot 156 herë në top tre vendet e para.
35-vjeçari është duke iu afruar edhe statistikave tjera të legjendës gjermane, prej 91 fitoresh dhe shtatë titujve të kampionit të botës që mbahen nga Schumi.
Sukseset më të mëdha, Schumacher i kishte arritur me Ferrarin, ndërsa Hamilton është duke shkëlqyer si pilot i Mercedesit.
Max Verstappen (Red Bull) dhe Valtteri Bottas (Mercedes) ishin dy pilotët tjerë që u ngjitën në podium në garën e Barcelonës. /Telegrafi/