Telegrafi

Pas transferimeve të raketave balistike nga Irani në Rusi, SHBA-ja vjen me një paralajmërim

Çdo transferim iranian i raketave balistike në Rusi do të shënonte një përshkallëzim të mprehtë në luftën në Ukrainë, paralajmëroi SHBA-ja, pas raportimeve se të dy vendet kishin thelluar lidhjet javët e fundit me një transferim të armëve.

Më herët është raportuar se Rusia po priste dërgimin e menjëhershëm të qindra raketave balistike me rreze të afërt Fath-360 nga Irani dhe se dhjetëra personel ushtarak rus po trajnoheshin në Iran për armët e drejtuara nga sateliti për përdorim eventual në luftën në Ukrainë.

Tani raketat me rreze të shkurtër veprimi i janë dorëzuar Rusisë nga Irani.

“Ne kemi paralajmëruar për thellimin e partneritetit të sigurisë midis Rusisë dhe Iranit që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të plotë të Ukrainës dhe jemi të alarmuar nga këto raporte”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Sean Savett.

“Çdo transferim i raketave balistike iraniane në Rusi do të përfaqësonte një përshkallëzim dramatik në mbështetjen e Iranit për luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, shtoi ai.

Një zyrtar tjetër amerikan tha se ata po vëzhgonin nga afër transferimet e mundshme të raketave iraniano-ruse, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, këto lëvizje vijnë pasi SHBA-ja dhe partnerët e saj, përfshirë Evropën, paralajmëruan se një hap i tillë nga Irani mund të ketë pasoja.

Vendet perëndimore kanë parë me shqetësim lidhjet e thelluara të Iranit dhe Rusisë në muajt e fundit.

Ndërkohë, misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara në New York se qëndrimi i Teheranit për konfliktin në Ukrainë ishte i pandryshuar.

“Irani e konsideron ofrimin e ndihmës ushtarake për palët e përfshira në konflikt – që çon në rritjen e viktimave njerëzore, shkatërrimin e infrastrukturës dhe një distancim nga negociatat e armëpushimit – të jetë çnjerëzore”, tha ai.

“Kështu, jo vetëm që Irani abstenon nga përfshirja në veprime të tilla, por gjithashtu u bën thirrje vendeve të tjera që të ndërpresin furnizimin me armë për palët e përfshira në konflikt”, shtoi misioni. /Telegrafi/