Telegrafi

Pas tragjedisë në Lipjan, komuna pezullon aktivitetet “Mërgata Fest & Sport”

Foto: Ilustrim

Pas vrasjes së trefishtë e cila ndodhi të premten në fshatin Rufc të vjetër, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti ka marr vendim që të pezullojë për sot të gjitha aktivitetet e “Mërgata Fest & Sport”.

Lajmi u bë i ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ku ndër të tjera thuhet se “Ngjarja e mbrëmshme në familjen Bekteshi tronditi thellësisht mbarë opinionin e gjerë”.

“Kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti ka marr vendim që të pezullojë të gjitha aktivitetet e Mërgata Fest & Sport. Të dashur qytetarë, të gjitha aktivitetet e Mërgata Fest & Sport janë pezulluar. Ngjarja e mbrëmshme në familjen Bekteshi tronditi thellësisht mbarë opinionin e gjerë.

Bashkëndjejmë dhimbjen dhe shprehim ngushëllime familjes Bekteshi, miqve të familjes Bekteshi dhe qytetarëve”, thuhet në postim.

Lexo po ashtu Vrau gruan, djalin dhe më pas vetën - Policia jep detaje nga vrasja e trefishtë në Lipjan

Ndryshe, Policia e Kosovës sot ka dhënë detaje lidhur me rastin, duke konfirmuar se i dyshuari mashkull kosovar ka vrarë bashkëshorten, djalin e tij dhe më pas vetën, transmeton Telegrafi.

Në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur dy revole dhe 4 gëzhoja.

“Fsh. Rufc i Vjetër, Lipjan 28.07.2023 – 16:25. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar ka vrarë bashkëshorten dhe djalin e tij e më pas ka kryer vetëvrasje. Njësitë relevante policore dhe prokurori i shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një revole e cila dyshohet se janë përdorur në rast dhe 4 gëzhoja. Gjatë kontrollit në një dhomë të shtëpisë është gjetur dhe sekuestruar edhe një revole tjetër me dy fishekë”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Telegrafi/