Telegrafi

Pas tensionimit të situatës mes Pakistanit dhe Indisë, pakistanezët mbyllin hapësirën ajrore për fluturime civile, mijëra pasagjerë ia shohin sherrin (Foto)

Mijëra turistë kanë mbetur të “bllokuar” në aeroportin e Bangkokut, vetëm një ditë pas mbylljes së hapësirës ajrore të Pakistanit pas tensioneve me Indinë, por aviokompania “Thai Airways” ka marrë leje të fluturojë mbi Kinën dhe nga sot pritet të vazhdojnë fluturimet.

Më shumë se 30 fluturime kryesisht nga Evropa që është dashur të transportojnë mbi 5 mijë pasagjerë, janë goditur nga kjo mbyllje e hapësirës ajrore, transmeton Telegrafi.

E pasi që është refuzuar nga Irani kërkesa për të fluturuar mbi hapësirën e tyre ajrore, aeroplanët janë detyruar të fluturojnë mbi Kinën. Në ndërkohë nervoza e pasagjerëve të “bllokuar” për më shumë se 10 orë në aeroportin ndërkombëtar Suvarnabhum në Bankok, është duke u rritur. Bangkoku njihet si një qendër e madhe e fluturimeve trans-kontinentale.

Gerda Hajncl që ishte në aeroportin e Puketit, tregoi se si për 12 orë ka pritur në aeroport, ku nuk u kanë ofruar ushqim apo të paktën dikë që fliste gjuhën gjermane që ta ndihmojë në komunikim.

Ndërkaq, Islamabadi dje ka njoftuar se ka mbyllur hapësirën ajrore për fluturime komerciale, pas tensionimit të situatës me Indinë rreth territorit të diskutueshëm të Kashmirit. /Telegrafi/