Telegrafi

Pas taksës ndaj produkteve serbe, qytetarët në Vushtrri mobilizohen për miell (Video)

32 mijë kg miell vendor grumbullohen për familjet në nevojë.

Naser Imerin vazhdimisht po e thërrasin për t’iu bashkuar iniciativës së tij, sepse pas taksës 100% ndaj produkteve serbe, ai ka marrë një iniciativë humane.

Me ftesën e tij, 32 mijë kilogram miell vendor janë paguar deri më tash për t’iu shpërndarë familjeve në nevojë, në rast së shtrenjtohen çmimet.

“Është bërë një solidarizim i mbarë qytetin tonë në përkrahje të Qeverisë. Dhe unë personalisht kam marrë iniciativë që të bëhet grumbullimi i miellit për njerëzit të cilët kanë nevojë, që mos të ndiejnë këtë shtrenjtim të miellit nëse ndodh. Jemi mobilizua mbarë qyteti që të jemi afër njerëzve që kanë nevojë”, shprehet Naser Imeri.

Vetëm për 3 orë janë paguar 30 mijë kilogram miell, 90% prej tyre janë prej bizneseve të ndryshme në Vushtrri, qytet të cilin Imeri e quan të vogël por me zemër të madhe.

Ndërkaq, ai ka një kërkesë ndaj kryemnistrit Haradinaj.

“Deri më tash i kemi grumbulluar 32 mijë kilogram. Aksioni është ende duke vazhduar. Është një mobilizim i jashtëzakonshëm dhe kemi përkrahje të gjerë nga bizneset dhe qytetarët e Vushtrrisë. I kisha bërë apel Qeverisë së Kosovës. Pashë Zotin mos e hiqni këtë masë ndaj Serbisë. Do të shtrenjtohet mielli edhe produktet tjera, por mos e hiqni sepse është metoda e vetme që mund të gjunjëzojmë Serbinë”, shprehet Naser Imeri.

Mielli do të merret nga prodhuesit vendor, ndërsa kontribut në këtë nismë kishte dhënë edhe Milot Rashica duke paguar 1 mijë kilogram miell si dhe Kryetari i Komunës 300 kilogram.

Mielli do të shpërndahet nga java e ardhshme./Telegrafi