Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i janë drejtuar publikut pas takimit në Beograd.
Me këtë rast, siç shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, von der Leyen ka shpjeguar se çfarë do të thotë njohja “de facto” e Kosovës, të cilën e ka përmendur disa herë në ditët e kaluara si kusht për Serbinë.
Siç thuhet më tej, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se çfarë do të thotë kërkesa e BE-së për njohjen de facto të Kosovës nga Serbia, von der Leyen ka thënë se “bëhet fjalë për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit”.
“Ai parasheh disa hapa, si njohja e dokumenteve, institucioneve, dhe nga ana tjetër, shkon me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, të cilin Kosova duhet ta zbatojë. Kjo do të hapë rrugën për normalizimin e marrëdhënieve”, citohet të ketë thënë ajo.
Dhe lidhur me raportet me Kosovën, mediat serbe theksojnë se Vuçiq ishte përqendruar në çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.
Sipas tij, “Prishtina për 11 vitet e kaluara kishte vetëm një obligim që ishte themelimi i ASK-së dhe nuk e themeloi atë”.
“Kemi pasur shkresa, katër dokumente që kanë të bëjnë me ASK, asnjëra nuk është zbatuar”, ka shtuar Vuçiq.
Ndërsa kur bëhet fjalë për zgjerimin e BE-së, von der Leyen ka thënë “lufta ruse në Ukrainë ka çuar në ndryshime të thella politike dhe turbulenca”.
“BE-ja e ka në krye të agjendës temën e zgjerimit, por edhe vendet kandidate duhet të jenë të gatshme për zgjerim. Ky është një proces i dyanshëm, ne duhet t’i bëjmë detyrat tona, por bëni edhe ju. Merrni hapa përpara drejt BE-së”, ka thënë ndër tjerash Ursula von der Leyen. /Telegrafi/