Presidenti meksikan, Enrique Pena Nieto ka hedhur poshtë kritikat lidhur me takimin e tij të diskutueshëm me kandidatin republikan për president të SHBA-së, Donald Trump.
“Unë e bëra atë për Meksikën dhe meksikanët”, tha Pena Nieta në një takim me të rinjtë.
“Duke pasur parasysh sulmet e përsëritura të Trumpit, kisha vetëm dy zgjedhje, t’ia ktheja me të njëjtën monedhë, pra me fyerje, ose të kërkoja dialog”, pohoi presidenti meksikan.
“Unë zgjodha opsionin e dytë”, shtoi ai.
Pas ftesës për bisedime me Trump në Meksikë, Pena Nieto është kritikuar gjerësisht nga meksikanët e zemëruar për shkak të retorikës antimeksikane të Trumpit.
Që nga fillimi i fushatës së tij presidenciale, Trump në mënyrë të përsëritur u është referuar emigrantëve meksikanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si kriminelë dhe përdhunues.