Pas përfundimit të takimit me diasporën në Milano, kryeministri shqiptar Edi Rama, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka falënderuar të gjithë shqiptarët për pritjen që atij i rezervuan.
Sipas Ramës, të thuash faleminderit është një fjalë e rastit, por që në këtë rast nuk e shpreh, sipas tij, “ndjenjën krejt të veçantë të kësaj dite të jashtëzakonshme shqiptarie në Itali.”
“Përulësisht mirënjohës për emocionin e paharrueshëm dhe përulësisht ndjesë mijërave që mbetën pa u futur dot në sallën, që u mbush tej kapacitetit. Nuk do t’i harroj as fytyrat e shqetësuara të autoriteteve të sigurisë, që kishin frikën e ndonjë hataje nga mbingarkesa e shkallëve, teksa njerëzit kërkonin të hynin akoma më shumë. Ç’të bëja, u thashë qetësohuni, ne jemi ata të maleve mbi anije, as nuk kthehemi dot mbrapa as nuk na ndalon dot gjë të vazhdojmë përpara. E marr me mend çfarë menduan, po s’po e them, rëndësi ka që kur u krye filluan të qeshin edhe ata. Shumë, shumë, shumë faleminderit”, shkruan Rama.