Lidhja Demokratike e Kosovës ka përshëndetur vendimin e gjykatës për suspendimin e vendimit të ZRrE-së për tarifat e reja të energjisë Eklektike duke thënë se është një masë mbrojtëse për qytetarët, derisa ka kërkuar nga qeveria që të bëjë propozime tjera sa i përket tarifave të energjisë elektrike.
Anëtari i kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri gjatë një konference për media, është pyetur edhe për vendimin e gjykatës për pezullimin e vendimit të ZRRES-së për tarifat e larta të energjisë elektrike, ku tha se LDK e kishte paralajmëruar këtë përfundim, kur kanë thënë se është vendim joligjor.
“Ne jemi të kënaqur që gjykata ka marrë dhe ka marrë këtë masë mbrojtëse, siguruese për qytetarët e Kosovës. Ne presim si LDK reflektim nga ZRRE-ja dhe njëkohësisht kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të vije me propozime të reja për tarifat e energjisë elektrike. Le të rikujtojmë të gjithë qytetarëve të Kosovës që LDK ka iniciuar në Kuvendin e Kosovës themelimin e komisionit hetimor, i cili komision do të themelohet dhe do të bëjë transparent çdo centë të mbi 200 milionë eurove që kjo qeveri i ka shpenzuar me subvencione për energjinë“, tha ai.
Gjykata Themelore në Prishtinë të premten ka vendosur që të pezullojë përkohësisht ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike.
Një vendim i tillë ka ardhur pas padisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Pas vendimit të Gjykatës Themelore të Kosovës, Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha sot në një konferencë për media, se pas një pune të madhe bashkë me ekipin e PDK-së, është arritur një fitore e madhe për pezullimin e vendimit të padrejtë të ZRRE-së për shtrenjtimin 100 për qind të energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës.
“Gjatë kësaj periudhe të krizës energjetike, kemi pasur një angazhim jashtëzakonisht të madh që ta argumentojmë para Gjykatës që vendimi i Qeverisë Kurti dhe ZRRE-së ishte i kundërligjshëm dhe i dëmshëm për qytetarët e Kosovës”, tha ai. /Telegrafi/