Site icon Telegrafi

Pas suspendimit nga UP-ja, prokuroria inicion rast ndaj profesorit Xhevat Krasniqi për veprën penale “ngacmim seksual”

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka filluar procedurat hetimore ndaj profesorit të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi për “ngacmim seksual”.

Zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj, bëri të ditur se tashmë janë duke u mbledhur dëshmitë dhe po merren deklarata nga personat e involvuar.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, sipas detyrës zyrtare ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘ngacmimi seksual’, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore, për të grumbulluar provat dhe informatat që lidhen me këtë çështje. Aktualisht, janë duke u marrë deklarata të personave të përfshirë në këtë rast, si dhe po kryhen veprime të tjera hetimore, konform dispozitave të KPPRK-së.”

Nga ana tjetër, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka marrë masat e nevojshme duke pezulluar profesor Krasniqi nga detyra.

Lexo po ashtu UP-ja pezullon nga puna profesorin Xhevat Krasniqi që dyshohet për ngacmim seksual

Vendimi u mor pasi Këshilli i Etikës rekomandoi pezullimin e tij.

“Rektori i UP-së mori vendim për pezullimin nga puna të Prof. Xh.K., me efekt të menjëhershëm, duke u bazuar në rekomandimet e Këshillit të Etikës dhe në përputhje me rregulloren e brendshme derisa hetimi i prokurorisë të përfundojë,” theksoi komunikata zyrtare e Universitetit.

Profesor Xhevat Krasniqi, i cili mësimdhënës në Fakultetin e Edukimit, tashmë është në qendër të një kontrolli të rreptë pasi është denoncuar nga 27 studente për sjellje të papërshtatshme dhe ngacmim seksual.

Akuzat e studenteve fillimisht u paraqitën në Këshillin e Etikës të Fakultetit të Mjekësisë, i cili vendosi të ndërpresë bashkëpunimin me Krasniqin, por masa të mëtejshme do të varen nga rezultatet e hetimit të prokurorisë./Telegrafi/

Exit mobile version