Telegrafi

Pas sulmit ndaj Trumpit, reagon Biden: Nuk ka vend në Amerikë për këtë lloj dhune

Presidenti amerikan Joe Biden ka deklaruar se “nuk ka vend në Amerikë për dhunë të tillë”, pas tentim vrasjes së Donald Trump.

“Është e tmerrshme”, tha ai në një konferencë për media në Delaware, ku menjëherë iu drejtua kombit pas sulmi që ndodhi në një event të Trumpit në Pennslyvania, transmeton Telegrafi.

Shërbimi Sekret amerikan ka konfirmuar se i dyshuari “kishte shkrepur disa plumba” nga kulmi i një objekti, ku po mbahej një tubim i Trumpit.

Ata thanë se i dyshuari është “neutralizuar” dhe se tani është i vdekur. Kjo agjenci e sigurisë gjithashtu ka konfirmuar se mbështetës të tubimit janë vrarë dhe se ka edhe të plagosur rëndë.

“Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë. Të gjithë duhet të dënojnë këtë”, tha Biden, duke falënderuar shërbimin sekret për reagimin e shpejtë.

Biden bëri të ditur se ka tentuar të kontaktoj me Trumpin pas sulmit.

“Kam tentuar të telefonoj Donaldin – ai është tani me mjekët e tij. Me gjasë është duke u rikuperuar. Shpresoj që të bisedojë sonte me të”, shtoi presidenti amerikan.

Nga shërbimit sekret është bërë e ditur se Trump tani është i “sigurtë” dhe se janë ndërmarrë masa shtesë të sigurisë.

Ky rast po cilësohet si tentim vrasje nga ana e autoriteteve të sigurisë. /Telegrafi/