Telegrafi

Pas sulmit ndaj tij, flet Sokol Zogaj

Në mëngjesin e së mërkurës është sulmuar fizikisht ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Burgjeve të Kosovës, Sokol Zogaj. Sulmi nga personat e panjohur e ka lënë me lëndime trupore në kokë dhe krahorë. Aktualisht, Zogaj, është duke u kuruar në QKUK.

Gazeta Express, ka kontaktuar me Zogajn i cili ka rrëfyer për atë çfarë i ndodhi sot. Thotë se për gjithë ngjarjen janë organet e hetuesisë ato të cilat do të japin më shumë detaje. Tutje ai ka treguar se gjendja e tij shëndetësore është e mirë.

“Mirë jam me shëndet. Për gjithë atë se çfarë ka ndodhur do të merren organet e hetuesisë”, ka thënë ai.

Ndërkohë që i pyetur se a ka pasur ndonjë konflikt apo kërcënim nga ndokush, Zogaj nuk ka dhënë detaje.

“Nuk kam tjetër se çfarë të them”, është shprehur ai.

Në ndërkohë orë më parë Zogaj në ambientet e QKUK’së është intervistuar nga organet e hetuesisë. Zyrtari i lartë i burgjeve, Sokol Zogaj është sulmuar sot nga persona ende të panjohur në banesën e tij në Prishtinë.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka konfirmuar se rreth orës 07:00 Zogaj është sulmuar me mjete të forta, shufra ndërsa është dërguar për tretman mjekësor në spital.

Kurse në QKUK thonë se në 48 orët e ardhshme ai do të trajtohet në klinikën neurokirurgjie pasi plagët janë shkaktuar me një mjet të topitur. Lidhur me rastin kanë reaguar edhe organet e drejtësisë në Kosovë./GazetaExpress/Telegrafi/