Telegrafi

Pas sondazhit të RTV Dukagjinit për Gjilanin, reagojnë Lutfi Haziri e Alban Hyseni

Pas prezantimit të sondazhit në RTV Dukagjini kanë reaguar dy nga kandidatët që janë në garë për t’u bërë kryetar të Gjilanit.

I pari është lajmëruar kandidati i LDK-së Lutfi Haziri i cili thotë se trendi është që nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel ai do të merrte 59% të votave.

“Ne presim që këto dy javë do të kemi sërish rritje të votave. Numri maksimal i atyre të pavendosurve është 1.9% përfshirë edhe minoritetet”, deklaroi Haziri në “Debat Plus”, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se rritja e mbështetjes për të ka ardhur si pasojë e rrjedhjes së votuesve nga PDK.

“Edhe Lëvizja Vatra bashkë me NISMËN tashmë kanë shprehur mbështetjen për kandidaturën time”, deklaroi tutje Lutfi Haziri.

Kandidati i LVV-së për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni në linjë telefonike thotë se përcaktimi qytetar në Gjilan ka filluar të ndryshojë në favor të tij.

Lexo po ashtu Sondazhi nga RTV Dukagjini për Gjilanin: Lutfi Haziri 50.9%, Alban Hyseni 43.0%

“Në debatet e fundit televizive Haziri ka pësuar debakël. Aty ka dalë që është i papërgatitur dhe pa projekte konkrete për Gjilanin. Nevoja për ndryshim është evidente në gjithë Kosovën duke përfshirë edhe Gjilanin”.

Ndryshe, RTV Dukagjini sonte ka prezantuar një sondazh për Gjilanin, i cili është realizuar nga UBO Consulting.

Në bazë të votave të deklaruara rezultatet e sondazhit kanë qenë si më poshtë:

Lutfi Haziri – LDK: 50.9%

Alban Hyseni – LVV: 43.1%

Leonora Morina-Bunjaku – PDK: 3.7%

Naim Gagica – AAK: 1.9%

Pjesa tjetër e votave për kandidatët tjerë./Telegrafi/