Pas prezantimit të sondazhit në RTV Dukagjini kanë reaguar dy nga kandidatët që janë në garë për t’u bërë kryetar të Gjilanit.
I pari është lajmëruar kandidati i LDK-së Lutfi Haziri i cili thotë se trendi është që nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel ai do të merrte 59% të votave.
“Ne presim që këto dy javë do të kemi sërish rritje të votave. Numri maksimal i atyre të pavendosurve është 1.9% përfshirë edhe minoritetet”, deklaroi Haziri në “Debat Plus”, përcjell Telegrafi.
Ai thotë se rritja e mbështetjes për të ka ardhur si pasojë e rrjedhjes së votuesve nga PDK.
“Edhe Lëvizja Vatra bashkë me NISMËN tashmë kanë shprehur mbështetjen për kandidaturën time”, deklaroi tutje Lutfi Haziri.
Kandidati i LVV-së për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni në linjë telefonike thotë se përcaktimi qytetar në Gjilan ka filluar të ndryshojë në favor të tij.
“Në debatet e fundit televizive Haziri ka pësuar debakël. Aty ka dalë që është i papërgatitur dhe pa projekte konkrete për Gjilanin. Nevoja për ndryshim është evidente në gjithë Kosovën duke përfshirë edhe Gjilanin”.
Ndryshe, RTV Dukagjini sonte ka prezantuar një sondazh për Gjilanin, i cili është realizuar nga UBO Consulting.
Në bazë të votave të deklaruara rezultatet e sondazhit kanë qenë si më poshtë:
Lutfi Haziri – LDK: 50.9%
Alban Hyseni – LVV: 43.1%
Leonora Morina-Bunjaku – PDK: 3.7%
Naim Gagica – AAK: 1.9%
Pjesa tjetër e votave për kandidatët tjerë./Telegrafi/