Site icon Telegrafi

Pas shtyrjes, Haradinaj-Stublla dhe Minxhozi bisedojnë rreth përgatitjeve për mbledhjen e dy qeverive

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka pritur sot në një takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi me të cilin ka diskutuar për mbledhjen e dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë, e cila është shtyrë për datën 2 tetor.

Kështu është bërë e ditur përmes një deklarate për medie, ku po ashtu thuhet se në takim është biseduar për përgatitjet që duhet të bëhen për këtë mbledhje.

“Në një takim të përzemërt prita sot Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z.Qemal Minxhozi. Diskutuam për bashkërendimin e ngushtë para mbajtjes së mbledhjes së dy Qeverive me 2 tetor, si dhe iniciativa tjera që do t’i konkretizojmë në të ardhmen e afërt” është shprehur Haradinaj-Stublla.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se ka rënë dakord me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama që mbledhja e dy qeverive të mbahet më 2 tetor.

Hoti ka thënë se mbledhja e dy qeverive ishte paraparë të mbahet këtë të premte, por për shkak të seancës së Kuvendit është shtyrë.

“Për shkak të seancës së Kuvendit të Kosovës, u dakorduam me Kryeministrin Rama që mbledhjen e përbashkët të dy qeverive tona, të paraparë për këtë të premte, ta mbajmë më 2 tetor. E falënderoj Kryeministrin Rama për mirëkuptimin dhe dy ekipet tona për përgatitjen e mbledhjes”, ka shkruar ai në Facebook.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të mbajnë mbledhjen e përbashkët në Shkodër. /Telegrafi/

Exit mobile version