Gjatë ditës së sotme në pikat kufitare të Jarnijes dhe Merdarës, janë ndaluar 12 kamionë me mallra nga Serbia.
Lajmin për Telegrafin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.
“Janë ndaluar 12 kamionë në pikat kufitare të Jarinjes dhe Merdare, sepse nuk janë në përputhje me vendimin e ri të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për pasojë nuk lejohen të hyjnë brenda”, tha Stavileci.
Qeveria në detyrë e Kosovës, më 30 maj mori vendim të ri për reciprocitetin tregtar me Serbinë.
Në vendim u tha se asnjë mall nuk do të lejohet të hyjë nga Serbia në Kosovë, nëse në dokumentacion nuk e ka të shkruar vendin e destinimit “Republika e Kosovës”.
Po ashtu, e njëjta vlen edhe për mallrat që eksportohen nga Kosova në Serbi, të cilat duhet ta kenë të shkruar vendin e origjinës “Republika e Kosovës”.
Kujtojmë se vendimi i autoriteteve të Kosovës për reciprocitet është marrë më 1 prill të këtij viti, duke e zëvendësuar këtë masë me taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe, që pati vënë qeveria e kaluar në nëntor të vitit 2018.
Nga ajo kohë është pezulluar edhe dialogu i këtyre dy shteteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel nga viti 2011.
Si taksën ashtu edhe reciprocitetin nuk e kanë mirëpritur as Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë thënë se nuk mbështesin veprime që krijojnë barriera dhe ngulfatin ekonominë e Kosovës. /Telegrafi/