Site icon Telegrafi

Pas shportës së vjeshtës masë të njejtë do të ketë edhe për festat si Ramazani dhe Pashkët, janë konsultuar prodhuesit dhe tregtarët

Propozimi për kufizimin e marzhës bruto të fitimit në 10 për qind, i cili mbulon njëqind produkte ushqimore bazë, është miratuar në konsultim me odat ekonomike. Gjatë përgatitjes së tij janë marrë parasysh sugjerimet e prodhuesve dhe tregtarëve.

Siç tha sot ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, vendimet nuk merren me forcë si më parë, por duke dëgjuar të gjithë palët e interesuara.

Ai bëri të ditur se përveç shportës së vjeshtës, do të ketë edhe të Krishtlindjeve, Ramazanit, Pashkëve,… sepse zakonisht, theksoi ai, në periudhën para dhe gjatë festave tregtarët gjithmonë i rrisin çmimet.

– Çmimet nuk do të ngrihen, por do të kufizohet marzha bruto e fitimit e qindra produkteve ushqimore bazë deri në 10 për qind, njoftoi sot ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

“Ditët e fundit kam pasur një takim me odat. I kam dëgjuar kërkesat e tyre, i kam dëgjuar vërejtjet edhe të prodhuesve edhe të tregtarëve. Kemi bërë një propozim të përbashkët që Ministria e ka dorëzuar në Qeveri. Në seancën e ardhshme presim që të miratohet propozimi – të kufizohet marzha bruto e fitimit në 10 për qind për të gjitha produktet bazë ushqimore dhe bujqësore. Odat nuk ishin të informuara mirë, mendonin se kjo masë do të ishte afatgjatë, por ne i njoftuam se masat janë vetëm për festa, me kohëzgjatje të kufizuar. Për shembull, vendimi për shportën e vjeshtës do të zgjasë një muaj, pastaj do të ketë shportë për Krishtlindje, Ramazan, Pashkë,… Dihet se në këto periudha tregtarët gjithmonë i rrisin çmimet”, theksoi Durmishi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas konferencës ndërkombëtare “Engjëjt e biznesit dhe ekosistemi sipërmarrës në Maqedoninë e Veriut”.

Sipas tij, kjo bëhet për të plotësuar nevojat e qytetarëve.

“Masat janë në interes edhe të qytetarëve edhe të shtetit. Propozimi është që shporta e vjeshtës të zgjasë një muaj, por Qeveria do ta diskutojë. Do të shohim se cilat janë propozimet e tjera, nga ministritë e tjera. Deri tani vendimet i kemi marrë me bisedë, hapur dhe në mënyrë transparente. Kemi formuar komisione pune nga ministritë e Ekonomisë, Bujqësisë dhe Financave dhe, siç thashë, kemi dëgjuar edhe odat. Vendimet nuk i marrim me forcë si më parë, por duke dëgjuar të gjitha palët e interesuara”, tha Durmishi.

Exit mobile version