Pas shpërthimit të mbrëmshëm në kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin Potokut, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza ka thirrur Komitetin për Menaxhimin e Situatës Emergjente.
Sulmi i mbrëmshëm ka dëmtuar rëndë infrastrukturën e kanalit të ujit në “Ibër Lepenc”, duke shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me ujë të pijshëm nga KRU “Mitrovica” për të gjithë rajonin e Mitrovicës, shkruan Telegrafi.
“Komuna e Mitrovicës është duke ndihmuar sipas kompetencave të saj dhe është në komunikim të rregullt me Qendrën Operative Regjionale. Për të siguruar furnizimin me ujë të pijshëm, nivelit qendror i është kërkuar dërgimi i cisternave me ujë, ndërkohë që do të caktohen pikat e furnizimit që qytetarët të njoftohen në kohë”, thuhet në njoftim.
Komiteti për Menaxhimin e Emergjencave ka shprehur mirënjohje për ekipet që janë mobilizuar për tejkalimin e situatës dhe ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për një menaxhimin sa më efikas. /Telegrafi/