Site icon Telegrafi

Pas shfaqjes së Coronavirusit në Shqipëri, Manastirliu: Djali i prekur me Coronavirus erdhi nga Italia më 26 shkurt, infektoi babanë

Ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu nga mbledhja e jashtëzakonshme e qeverisë pas konfirmimit të dy rasteve të parë me Coronavirus në vend dha detaje për të prekurit.

Ajo ka bërë apel për zbatim të masave të higjienës dhe mos frekuentimin e spitaleve pa u vizituar më parë nga ekipet e urgjencës në shtëpi.

“Janë konfirmuar dy rastet e para me COVID-19, dy qytetare 54 vjeç dhe 28 vjeç banues në Tiranë, rast i importuar që ka udhëtuar nga Firence në Shqipëri, ku ka hyrë përmes pikes kufitare te Hanit të Hotit në 26 shkurt, ndërkohë që babai është rast i konfirmuar si kontakt i ngushtë. Është kontaktuar urgjenca kombëtare menjëherë sipas protokolleve janë marrë mostrat, kanë pasur shenjat klinike, janë dërguar në laborator e kanë rezultuar pozitiv. Menjëherë janë kryer identifikimi, izolimin e kontakteve të ngushta përgjatë natës, kanë marrë mostrat e kontakteve për analizë dhe tashmë kontaktet janë të izoluar. Ndërsa dy qytetarët janë dhe po marrin shërbim pranë Infektivit në QSUT”, tha Manastrilliu.

Lidhur me këtë, kryeministri Edi Rama në mbledhjen urgjente të qeverisë pas shfaqjes së dy rasteve me Coronavirus në vend, ka kërkuar që të mbyllen të gjitha institucionet arsimore deri më 3 prill 2020.

Lexo po ashtu Pas shfaqjes së dy rasteve me Coronavirus, Rama kërkon që të mbyllen të gjitha institucionet arsimore

“Ne besojmë së është momenti që të mbyllen të gjitha institucionet arsimore dhe njëkohësisht të kërkojmë anulimin e të gjitha grumbullimin e aktiviteteve aktive e sportive, kulturore, konferencave, dëgjesave publike deri më datën 3 prill. Të mblidhen të gjitha të dhënat që të vlerësohen më tutje se çfarë duhet të bëhet”, ka thënë Rama.

Me anë të një njoftimi Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka konfirmuar dy rastet e para me Coronavirus. /Telegrafi/

Exit mobile version