Telegrafi

Pas Rudy Gobert edhe një yll i NBA rezulton pozitiv me coronavirus

Virusi i tmerrshëm që ka prekur gjithë botën ka mbërritur edhe në SHBA ku tanimë ka edhe basketbollistë të NBA të prekur.

I pari që doli pozitiv me coronavirus ishte qendra franceze e Utah Jazz, Rudy Gobert.

Por gjatë ditës së sotme ka qenë vetë klubi amerikan që ka konfirmuar se edhe një basketbollist i tyre ka dalë pozitiv, duke mos i zbuluar emrin.

Megjithatë gazetari i ESPN, Adrian Wojnarowski ka raportuar se bëhet fjalë për yllin tjetër të skuadrës së Jazz, Donovan Mitchell.

Ashtu si Gobert edhe Mitchell ka dalë pozitiv me coronavirus dhe klubi i ka vendosur lojtarët e saj në karantinë.

Me tu konfirmuar se fillimisht Gobert ishte me coronavirus, NBA mori masa duke e pezulluar ligën për një afat të papërcaktuar.

Donovan Mitchell dhe Rudy Gobert

Edhe ndeshja e mbrëmshme mes Utah Jazz dhe Oklahoma City Thunder u anulua dhe lojtarët e të dyja skuadrave i janë shtruar analizave.

Mbetet të shihet gjatë orëve në vazhdim nëse nga Gobert e Mitchell janë infektuar edhe basketbollistë të tjerë me të cilët dyshja kanë pasur kontakt. /Telegrafi/