Të paktën 70 persona kanë humbur jetën në një zjarr, që ka shpërthyer brenda një treni në lëvizje në provincën Punjab në lindje të Pakistanit.
Policia ka njoftuar se zjarri ka shpërthyer pas rrjedhjes së gazit nga bombola, të cilën pasagjerët e kishin përdorur për të përgatitur drekën, transmeton Telegrafi.
Kalim Ulah nga agjencia për situata të jashtëzakonshme, ka deklaruar se disa persona të lënduar janë në gjendje kritike, pasi janë nxjerr nga zjarri që kishte përfshirë trenin.
Ai beson se numri i viktimave mund të jetë më i madh, ndërsa në anën tjetër ministri i Hekurudhave ka bërë të ditur se shumica e pasagjerëve kanë humbur jetën derisa po tentonin të kërcenin nga treni.
Zjarri shpërtheu në momentin kur treni po i afrohej qytetin Liakvatrup në Punjab. Pamjet e publikuara nga televizionet pakistaneze, shfaqin zjarrin që kishte përfshirë trenin dhe ekipet e zjarrfikësve që mundoheshin ta lokalizonin.
Treni ishte nisur nga Karaçi dhe po udhëtonte drejt qytetit Raualpind. E në operacionin e kërkim shpëtimit është përfshirë edhe ushtria pakistaneze. /Telegrafi/