Telegrafi

Pas rritjes së rasteve, AAK kërkon masa të reja për luftimin e COVID-19

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shprehur shqetësimin e saj pas rritjes enorme të rasteve të reja me coronavirus në vend.

Deputeti i AAK-së, njëherësh anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Shemsedin Dreshaj, në një konferencë për media ka kërkuar që të merren masa të reja urgjente kundërCOVID-19.

“Shprehim pakënaqësinë tonë lidhur me menaxhimin e pandemisë, deri më sot janë diku 50 për qind të vaksinuar me dozën e dytë dhe 40 për qind me dozën e tretë. Mendoj se është koha të kalohet nga fjalët në vepra. Duhet sa më parë të merren masa që të bëhet marrja e vaksinës. Ka kohë që kemi promovuar vaksinimin e obliguar për sektorin publik gjë që nuk është bërë. AAK nuk është për mbylle”, tha ai.

Ndërsa Time Kadrija, deputete nga AAK, tha se Ministria e Shëndetësisë nuk po e merr seriozisht këtë çështje.

“Ne sot kemi një shifër me 2050 raste, por pritet që kjo shifër të jetë deri në 10 mijë raste. Qeveria dhe ministria duhet të merren seriozisht me këtë çështje. Ka një kohë që kjo qeveri nuk i ka furnizuar spitalet me gjëra esenciale”, tha ajo.