Telegrafi

Pas rrahjes, deputetët mblidhen në Kuvend për vazhdimin e seancës

Pas përleshjes fizike që ndodhi këtë të enjte, deputetët janë mbledhur sërish për vazhdimin e seancës plenare të Kuvendit.

Seanca pritet të vazhdojë pas një pauze mbi tri orëshe.

Lexo po ashtu Fyerje, akuza e rrahje në Kuvend – gjithçka që ndodhi në seancën e sotme

Kryeparlamentari Glauk Konjufca njoftoi për ndërprerjen e seancës pasi debati parlamentar eskaloi në përleshje fizike mes deputetëve të PDK-së dhe atyre të pushtetit si dhe ministrave.

E gjithë përleshja nisi gjatë kohës sa ishte duke folur kryeministri Albin Kurti, kur atij iu afrua për ta lagur me ujë deputeti Mergim Lushtaku.

Ministri Hekuran Murati reagoi duke u përpjekur që ta mbronte Kurtin me një fashikull, e Lushtaku iu kthye për ta lagur edhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi i cili pastaj e gjuajti në fytyrë me shishe të ujit.

Pastaj aty janë ofruar disa prej ministrave, deputetët e pushtetit e të PDK-së të cilët janë përfshirë në rrahje. /Telegrafi/