Telegrafi

Pas rizgjedhjes së Mustafës, Sejdiu thotë se delegatët nuk patën mundësi të shprehen lirshëm

Ish-kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, nuk mori votat e mjaftueshme për të hyrë në garë për kryetar të këtij subjekti, pasi duhen 50%+1 të votave të delegatëve të pranishëm.

Menjëherë, pasi iu është refuzuar kandidatura, Sejdiu lëshoi punimet e kuvendit dhe për mediat deklaroi se delegatët janë kërcënuar dhe nuk kanë arritur të shprehen lirshëm dhe sipas tij, kjo është shenjë e keqe për demokracinë.

“Ata njerëz nuk mund të shprehen lirshëm. Nuk kanë miratuar kandidaturën time, e kanë miratuar një tjetër. Në këtë mënyrë të punës, me këtë qasje, me këtë mënyrë të mungesës së guximit të njerëzve, e kemi një shenjë të keqe për demokracinë ne Kosovë. LDK ka qenë dhe mbetët shtëpia ime”, tha ai.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Kuvendi Zgjedhor i LDK-së

Sejdiu gjithashtu tha se ka pasur kontakte ditët e fundit me kryetarin tashmë të rizgjedhur të LDK-së, Isa Mustafa, rreth një konsesunsi politik, por që nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

“Kam tentuar ditët të fundit të kem kontakt me kryetarin rreth një konsensusi politik. Më ka pritur por nuk kam marr ndonjë përgjigje. Nënkryetarët nuk kanë dashur të dinë cila është ideja ime rreth një konsensusi politik. Delegatët vendosin për kryetarin, sigurisht në këtë mënyrë ai (Mustafa)do të marrë mbështetjen e tyre”, tha ai.