Site icon Telegrafi

Pas “rezultatit historik” në zgjedhjet në Gjermani, Weidel e AfD-së thotë se mori urime nga Elon Musk

Unioni Demokristian (CDU) i qendrës së djathtë dhe udhëheqësi i saj Friedrich Merz ishin fituesit e mëdhenj të zgjedhjeve federale gjermane të dielën me 28% të votave, konfirmuan rezultatet e përkohshme.

Ndërkohë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) ishte e dyta me 20%, duke dyfishuar pjesën e saj të votave nga zgjedhjet e fundit në Gjermani në vitin 2021.

Këto rezultuan të ishin rezultati më i mirë për një parti të ekstremit të djathtë në vend që nga Lufta e Dytë Botërore, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Dhe Alice Weidel dhe Tino Chrupalla, liderë të AfD-së, janë deklaruar për shtypin në Berlin.

E pyetur nëse ajo ishte kontaktuar nga Elon Musk pas rezultatit të fortë zgjedhor të AfD-së, ajo tha:
“Sot në mëngjes, kur ndeza telefonin, pashë se kisha marrë telefonata dhe mesazhe nga SHBA, përfshirë edhe nga Elon Musk me urime personale”.

”… Ne jemi fuqia në Gjermani që njihet ndërkombëtarisht. Ne jemi në kontakt me të gjitha palët dhe kjo përfshin administratën e (Donald) Trump”.

Chrupalla më pas hyri për të shtuar i emocionuar se edhe ai kishte marrë një numër të madh mesazhesh urimi, duke përfshirë “dy lojtarë të kombëtares gjermane, dy ish-lojtarë të Bayern Munichut”.

Kush saktësisht, nuk tha ai, por tani me siguri mediat në Gjermani do të jenë në kërkim për identifikimin e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version