IIsh-drejtori i Klinikës Infektive, infektologu Izet Sadiku ka kërkuar masa urgjente për luftimin e pandemisë në kohën kur vendi ynë vetëm në 24 orët e fundit ka regjistruar mbi 2100 raste të reja dhe katër viktima.
Ai në një postim në Facebook ka thënë se situata me COVID në vend është alarmante, duke kërkuar njëherësh vendosjen urgjente në masave antiepidemike si përdorimi i maskave, mbajtja e distancës, higjiena personale dhe vazhdimi i vaksinimit masiv.
“Përdorimi i masave antiepidemike është i domosdoshëm për këtë valë sepse e dimë që duhet së paku 6 javë nga doza e parë e vaksinës për t’u krijuar imunitet, prandaj vaksinimi dhe përdorimi i maskave, mbajtje distancës duhet të ndodhin paralel”, shkruan Sadiku.
Ai ka kërkuar po ashtu hapjen e shumë qendrave vaksinimi, forcimin e kapaciteteve spitalore dhe paga shtesë për punëtorët shëndetësorë, të cilën mbi 18 muaj janë në front të luftës me pandemi.
“Duhet angazhim i përbashkët për të përballuar edhe këtë valë të COVID 19”, shkruan ai.