Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli ka thënë se abuzimi i së miturës në Drenas nga polici dhe mësimdhënësi, është shkelje e dinjitetit dhe vlerave të demokracisë.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Pacolli ka kërkuar që të publikohet lista e ofenduesve seksual.
Ai ka thënë se këtyre, do të duhet tu ndalohej ushtrimi i pozitave zyrtare, transmeton Telegrafi.
“Rasti i nëpërkëmbjes dhe cënimit deri në skllavërim, i një vajze 16 vjeçare, dëshmon dështimin e një morie institucionesh, prandaj së shpejti do të propozoj që sikurse në botën e civilizuar dhe demokratike, këta shkelës monstruoz dhe kushdo që guxon të prek nderin dhe moralin e tjetrit, të konfirmuar me vendim nga një gjykate, me automatizëm të figuroj në një listë publike të ofenduesve seksual”, ka shkruar Pacolli.
Ai ka kërkuar një veprim urgjent të institucioneve, duke thënë se ligji nuk duhet të qëndroj indifirent ndaj këtyre zhvillimeve.
“I alarmuar nga rasti i sotshëm monstruoz i shkeljës së dinjitetit dhe i fyrjes që i bëhet vlerave e traditës sonë, si dhe cënimit të vet themeleve ligjore e institucionale nuk mund të qëndroj indiferent nga ajo çfarë pamë e dëgjuam sot. Kupa është mbushur, duhet veprim urgjent institucional”, ka shkruar Pacolli.
Ndryshe, në lidhje me rastin e abuzimit të nxënëses nga Drenasi, kanë reaguar edhe kryeministri Haradinaj, dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. /Telegrafi/