Telegrafi

Pas raportimit të RTV Dukagjinit, ish-luftëtarit të UÇK-së i bëhet zgjidhje për shkollimin e fëmijëve (Video)

Për rastin e Fadil Mehmetit, ish-luftëtarit të UÇK-së i cili tash e tri vite i ka ndalë katër fëmijët nga shkolla për shkak të distancës nga shtëpia, tashmë i është bërë zgjidhja nga Qumështorja Drena, pas raportimit të RTV Dukagjini. Mehmeti tani e tutje do të ketë qarkullim bankarë në vlerë prej 250 euro.

Pas raportimit të RTV Dukagjinit, i është bërë zgjidhje, familjes nga Shilovica e Komunës së  Vushtrrisë që t’i dërgoj fëmijët në shkollë. Për shkak të kushteve të vështira, prej tri vitesh, fëmijët e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Fadil Mehmetit, nuk shkuan në shkollë.

Tani e tutje në llogarinë e Mehmetit do të ketë qarkullim mujor në vlerë prej 250 euro nga qumështorja Drena.

“Financimi i personit në fjalë, siç bëjmë edhe disa financime tjera, në xhirollogarinë bankare do t’i bëhet pagesa mujore prej 250 euro ashtu siç i kemi premtuar përmes Facebook-ut”, thotë për RTV Dukagjinin Ervina Masurati nga Qumështorja Drena.

Mirëpo sipas ligjit, nëse një veteran ka qarkullim bankarë jashtë pensionit mujor të përcaktuar nga Republika e Kosovës, atëherë kjo e fundit i ndalohet, mirëpo nga qumështorja Drena është menduar edhe për këtë të fundit.

Lexo po ashtu Ish-luftëtari i UÇK-së detyrohet t’ua ndërpresë fëmijëve shkollimin (Video)

“Besoj se në mbështetje edhe nga Departamenti i Financave do të bëjmë një zgjidhje për të qenë në mbështetje financiare të kësaj familjeje sa më shpejt që është e mundur”, shtoi më tej Ervina Masurati.

Në shtator të këtij viti Fadil Mehmeti do ta regjistroj edhe fëmijën e 5-të në shkollë, ndërsa 4 të tjerët ka 3 vite që nuk vijojnë mësimin./Telegrafi/