Këngëtari Robert Berisha ka bërë një denoncim publik sot (e enjte) përmes një fotografie të hedhur nga konviktet e studentëve, ku po qëndron i izoluar aktualisht.
Bëhet fjalë për një lavaman në gjendje jo të pastër, të cilin ai e quajti me ironi si “ikja nga virusi në virus”, pasi është karantinuar në konviktoret e studentëve pas ardhjes nga Turqia në Kosovë mëngjesin e së enjtes.
Një postim i ngjashëm në rrjetet sociale u shpërnda edhe nga menaxheri i reperes Tayna, Rinor Hykolli.
Mirëpo lidhur me situatën në fjalë, Qendra e Studentëve përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, shpjegoi se rasti në fjalë mund të ketë qenë një pakujdesi e vogël e momentit, pasi gjithçka është në rregull për sa i përket rehatisë që konviktet ofrojnë për udhëtarët që vijnë nga jashtë, të cilët do të karantnohen aty.
Ky është njoftimi i tyre i plotë:
“Sqarim: Qendra e Studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, me kohë i ka marrë të gjitha masat për parandalimin e pandemisë së Coronavirusit Covid-19. Brenda një kohe të shkurtër dy herë është bërë dezinfektimi të gjitha hapësirave të kësaj qendre.
Dhomat, banjat, korridoret, oborri dhe çdo hapësirë e Qendrës së Studentëve është e pastër dhe e sigurt.
Siç e dini, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që kjo Qendër të shfrytëzohet si hapësirë karantine.
I sigurojmë të gjithë qytetarët, që do të vendosen se kushtet janë të përshtatshme, i plotësojnë të gjitha standardet.
Rasti i sotëm që është publikuar nga një persona publik, është vetëm një pakujdesi e vogël, që ka mundur të ndodhë nga koha e shkurtër që kemi pasur në dispozicion, është nje rast i izoluar. Gjithçka tjetër është në rregull!”. /Telegrafi/