Monitoruesit e veprimeve të Koresë së Veriut kanë vërejtur diçka të çuditshme në vendin ku kryhen teste bërthamore – punëtorët duke luajtur volejboll, shkruan AFP.
Grupi monitorues i njohur si “38 North” me seli në Uashington, ka bërë të ditur gjatë të martës mbrëma se imazhet satelitore të shkrepura të dielën, tregojnë se në to shihen stafi i sigurisë dhe punëtorët tjerë duke luajtur volejboll në zonat ku kryhen testet e armëve të ndryshme bërthamore, transmeton Telegrafi.
Sipas ekspertit të çështjes së Koresë Veriore dhe njëherit analistit të këtij grupi monitorues, Joseph Bermudes, kjo tregon se centrali bërthamor mund të jetë në gjendje gatishmërie pasi brenda tij ka lëvizje të mëdha.
Megjithatë, ai beson se pamjet satelitore ku në ato shihen koreano-veriorët duke luajtur volejboll, mund të jenë një lojë e qëllimshme, pasi e dinë se dikush po i vëzhgon dhe se mund të raportojnë për këto lëvizje.
“Ata me këtë ose po na dërgojnë mesazh se kjo bazë është në gjendje gatishmërie, ose po mundohen të na mashtrojnë”, ka shtuar Bermudes.
Pungje-ri është një kompleks me tunele dhe infrastrukturë për testimin e armëve bërthamore i ndërtuar thellë në male në Korenë Veriore. /Telegrafi/