Telegrafi

Pas publikimit të audio-incizimeve, shkarkohet drejtor i Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu

Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare,Dardan Nuhiu, është shkarkuar sot pas audio-incizimeve të publikuara në media, të cilat e implikojnë në raste të ndryshme të ndikimit te personat e caktuar nëpër institucione.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Bordit Mbikëqyrës të Njësisë për Inteligjencë Financiare (NJIF), në mënyrë unanime është shkarkuar Dardan Nuhiu nga pozita e Drejtorit të NJIF-it.

Mbledhja e jashtëzakonshme ishte thirrur nga Ministri Murati në cilësinë e kryesuesit të Bordit Mbikëqyrës të NJIF, pas publikimit të audioincizimeve në media ditëve të fundit të cilat implikojnë edhe Drejtorin e NJIF-it, Dardan Nuhiun.

Siç theksohet, gjuha e përdorur në bisedat e publikuara shpërfaq qartazi abuzimin me detyrën e besuar.

Tutje thuhet se një gjë e tillë cenon rëndë reputacionin e institucionit dhe rrezikon besueshmërinë e qytetarëve dhe institucioneve tjera bashkëpunuese.

“Pas shqyrtimit të audioincizimeve në fjalë, dhe diskutimit në mes të anëtarëve, Bordi Mbikëqyrës me gjashtë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, vendosi që bazuar në kompetencat që ia njeh Ligji Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, të shkarkojë Dardan Nuhiun nga pozita e Drejtorit të NJIF-it”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, në audio-incizimet e transmetuara nga mediumi “Shqip”, në një bisedë dëgjohet të thotë se për 2-3 vjet do të realizojë planin e tij që lidhet me mediat si dhe përmend se ka informacione për persona në strukturën shtetërore.

Në postin e drejtorit të Njësisë së Inteligjencës Financiare, Nuhiu ishte emruar në vitin 2011. /Telegrfi.