Site icon Telegrafi

Pas përshëndetjes kontroverse të Musk gjatë inaugurimit të Trumpit, kanadezi shet dy Tesla-t e tij dhe anulon blerjen e një Cybertruck

Një burrë nga Quebec i Kanadasë, po shet dy Teslat e tij dhe po anulon porosinë e tij të Cybertruck sepse ai tani po refuzon të mbështesë Elon Musk.

Alain Roy thotë se përshëndetja e Musk në ditën e inaugurimit në SHBA, ishte pika e fundit, transmeton Telegrafi.

Musk – personi më i pasur në botë, themeluesi i SpaceX, pronar i X (ish Tëitter), drejtor i Tesla dhe më shumë – është bërë një figurë polarizuese në muajt e fundit që kur u rreshtua me presidentin e SHBA Donald Trump, pasi ai mblodhi rreth 200 milionë dollarë për fushatën zgjedhore.

Ndërsa Roy thotë se i do veturat e tij elektrike të modelit Tesla Y dhe S për të gjitha tiparet e tyre të avancuara të teknologjisë së lartë, banori i zonës së Montrealit tha për Global News se nuk mund të durojë t’i drejtojë më.

“Është Musk që nuk më pëlqen”, tha ai.

Si ai ashtu edhe gruaja e tij ngasin secili nga një, dhe ai ishte në gjysmë të rrugës duke porositur një të tretën – këtë herë, Cybertruck.

Ishte gjesti famëkeq i Musk në ditën e inaugurimit, që shumë e interpretuan si një përshëndetje naziste, që i dha fund afinitetit të Roy për kompaninë.

“Ai gjest ishte e tepërt për mua. E anulova menjëherë porosinë time Cybertruck dhe të dy Teslat e mia janë në shitje”, shtoi kanadezi.

Roy tha se kishte filluar të shqetësohej kur Musk mori rolin si kreu i Departamentit të Efiçencës të administratës Trump (DOGE). Para kësaj, ai kishte qenë një adhurues i novatorit të biznesit prej vitesh.

Raportet e fundit të biznesit tregojnë se shitjet e Tesla kanë rënë në Evropë, Britani të Madhe dhe Australi, dhe çmimi i aksioneve të saj ka rënë 30 për qind nga niveli më i lartë i të gjitha kohërave në dhjetor.

Kjo mund të tregojë se njeriu i Quebec është pjesë e një tendence në zgjerim për të bojkotuar markën mes hyrjes së Musk në politikën e SHBA. /Telegrafi/

 

Exit mobile version