Kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny që është i burgosur në një nga burgjet ruse, kërkoi ndihmë nga një komision publik për të marrë qasje në injeksione qetësuese për dhimbje të forta në këmbën e tij.
Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, Navalny u burgos muajin e kaluar për dy vjet e gjysmë me akuza që ai i quajti si të motivuara politikisht.
Ai u arrestua me t’u kthyer në Rusi nga Gjermania më 17 janar, ku po shërohej nga ajo që mjekët thanë se ishte një helmim nga agjenti nervor Novichok.
Politikani 44-vjeçar i opozitës ka thënë se, kërkesa e tij për trajtim nga një mjek civil, i ishte refuzuar dhe që ai po zgjohej çdo orë gjatë natës nga një roje në një përpjekje të qëllimshme për të dëmtuar shëndetin e tij.
Anëtarët e një Komisioni lokal të Monitorimit Publik, një organ gjysmë zyrtar me qasje në burgjet ruse, e vizitoi të premten Navalnyn në koloninë penale që gjendet 100 kilometra në lindje të Moskës.
“Nga një bisedë [me Navalnyn] ne mësuam se ai ndjen dhimbje në këmbë dhe kërkoi ndihmë për të marrë injeksione të Diclofenac për të zvogëluar dhimbjen. Ai është akoma në gjendje të ecë”, tha Vyacheslav Kulikov, kreu i komisionit.
Navalny ka thënë se trajtimi i tij i vetëm ishte dy pilula Ibuprofen në ditë dhe diagnoza e tij ishte e paqartë. /Telegrafi/