Sipas informacioneve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, kalimtarët që kanë alarmuar e kishin vërejtur atë të shtrirë.
Vajza është sjellë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ku është trajtuar nga mjekja Afërdita Rama. Sipas mjekes, ajo ishte në gjendje të rëndë dhe se është dashur kohë që të këndellet.
“Vajza ka hematome në duar dhe në trup, çka bën të dyshohet se është përdoruese e narkotikëve”, tha dr. Rama.
“Asaj i duhet ndihma mjekësore edhe më tutje. Dyshimet janë se është përdoruese e narkotikëve dhe për këtë duhet të transferohet në ndonjë institucion tjetër të specializuar”, tha dr. Rama. Sipas saj, vajzës nuk i është gjetur asnjë dokument i identifikimit dhe se komunikimi me të është i pamundur.
“Tani është këndellur, por nuk përgjigjet fare. S’e dimë as nga është, as kush është, as moshën…”, theksoi ajo.
Në QKMF kanë thënë se e njëjta është sjellë në Shërbimin e Urgjencës edhe para 10 ditëve, në po të njëjtën gjendje, por asokohe kishte edhe vjellje.
“Kemi një emër që na e pati dhënë atëherë dhe ajo është evidencuar si Shaha Hysenaj nga Petrova e Shtimes. Në Shërbimin e Urgjencës e patën sjellë pjesëtarë të FSK-së, të cilët e kishin gjetur të alivanosur diku në rrugë“, tha dje njëra prej infermiereve në Shërbimin e Urgjencës.
Ndryshe nga mjekët, policia, e cila ka qenë prezente gjatë kohës sa vajza është trajtuar në QKMF, nuk ka dhënë asnjë hollësi për këtë rast.
Ata vetëm kanë thënë se janë në kontakt me policinë e Shtimes, në përpjekje për ta siguruar identitetin e vërtetë të vajzës, e cila siç dyshohet, fatkeqësisht ka rënë në duar të përdoruesve të drogës. /Zëri//Telegrafi/