Telegrafi

Pas përcaktimit të fatit të PSP-së, pritet të fillojë gjykimi për “Pallatin e Bardhë”

Për asnjërën nga aktakuzat për rastet “Talir” dhe “Talir 2”, të cilat i ka ngritur Prokuroria Speciale më 22 nëntor të vitit 2018, nuk ka filluar akoma gjykimi.

Në lëndën “Talir” për shkak të mungesës së avokatëve akoma nuk ka filluar diskutimi kryesor, ndërsa në rastin “Talir 2”, ende nuk është vlerësuar aktakuza, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Arsyeja për anulimin e sotëm të rastit “Talir” ishte kërkesa e avokatëve të të akuzuarve, që seanca të shtyhet për shkak të nenit 22 të Ligjit për PSP-në, i cili për momentin ndodhet në procedurë kuvendare.

Por, Kuvendi deri tani nuk e ka vendosur në rend dite këtë pikë, për shkak të propozim-ligjit të ri për Prokurorinë Publike, me të cilin pritet të zgjidhet edhe statusi i PSP-së, e për të cilin partitë politike akoma nuk kanë arritur marrëveshje.

Aktakuza e parë ka të bëjë me financimin joligjor të OBRM-PDUKM-së, e cila përfshin Nikolla Gruevskin, si dhe pesë ish-funksionarë tjerë, si dhe vetë paria si subjekt juridik.

Ndërsa aktakuza e dytë i përfshinë Nikolla Gruevskin dhe Kirill Bozhinovskin. Ata akuzohen për ndërtim të paligjshëm të selisë së partisë, e njohur si “Pallati i Bardhë”./Telegrafi/