Pas një zënke që e kishte pasur me gruan e tij, një burrë kishte hipur në aeroplan dhe ishte përplasur në një kafiteri në Botswana, duke mbetur i vdekur në vend.
Charl Viljoen, pilot i Kalahari Air Services, raportohet se ishte përplasur me aeroplan e vjedhur në lokalin ku gruaja e tij kishte organizuar një aheng, transmeton Telegrafi.
Ai fillimisht kishte fluturuar disa herë shumë afër lokalit, dhe me telefon i kishte njoftuar mysafirët që të dalin jashtë nëse dëshirojnë t’i shpëtojnë vdekjes.
Në videon e publikuar më poshtë, ai shihet duke fluturuar pak metra mbi tokë dhe në një moment përplaset në afërsi të Mochudi në Botswana, pranë vijës kufitare me Afrikën e Jugut.
“Kishin organizuar një aheng në Matsieng. Por dyshja u grindën dhe në një moment e goditi gruan dhe të gjithë i thanë se nuk duhet ta trajtosh ashtu një femër”, ka deklaruar një dëshmitar.
Mediat lokale raportojnë se ai i kishte telefonuar një miku që ishte brenda lokalit, për ta pyetur nëse gruaja e tij ishte ende brenda. Megjithatë, si pasojë e përplasjes ka humbur jetën vetëm piloti, si dhe janë shkatërruar edhe 13 vetura të parkuara në afërsi të lokalit. /Telegrafi/