Telegrafi

Pas një “gabimi” në Facebook, ishte arrestuar në Itali – ky është “vjedhësi i makinave”, së fundmi i arrestuar edhe në Tiranë

Një 28 vjeçar i dënuar nga organet e drejtësisë për shkak se ishte pjesë e një grupi kriminal që merrej me vjedhjen e automjeteve, është arrestuar.

Në pranga përfundoi Genc Logu, ndërsa më herët janë arrestuar tre bashkëpunëtorë të tij. Ai rezulton i dënuar me 4 vite burg në mungesë, shkruan Panorama.

Njoftimi i policisë:

Vijon zbatimi i planit të masave për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim.

Kapet dhe ndalohet nga Komisariati i Policisë Nr.2, një shtetas i shpallur në kërkim për “Vjedhje të kryer në bashkëpunim”, i dënuar me 4 vjet burg nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr.2, në zbatim të planit të masave “Për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim”, lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim:

Genc Logu, 28 vjeç, banues në Tiranë (me precedentë të mëparshëm penal).

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 4 vite burg, për veprën penale “Vjedhje të kryer në bashkëpunim”, pasi në bashkëpunim me tre shtetas të tjerë kanë vjedhur në zonën e Don Boskos dhe në rrugën “Artan Lenja” dy automjete.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.

Por kush është Genci i arrestuar edhe në Itali?

Dy vite më parë, Genci Logu u arrestua nga policia italiane pasi ndaj tij kishte një urdhër kërkimi evropian lëshuar në Terzigno (Napoli).

Ai i shpëtoi vazhdimisht policisë por në mars 2017, u prangos pas publikimit të një fotoje në rrjetet sociale, në të cilën tregon edhe rrugën ku gjendej. Policia zbuloi se i riu ndodhej në Castellamare di Stabia (Napoli).

Prania e Logut në Itali ishte raportuar që në vitin 2014, ndërsa autoritetet shqiptare e kishin dënuar me katër vite, shkruajnë mediat italiane në atë kohë.

I riu atëherë banonte në komunën e Castel Voltuno; megjithatë, ai arriti të shpëtojë.

Ndërkohë, një urdhër arresti evropian për krime kundër personit mbërriti nga Gjermania.

Hetimet vazhduan deri sa 26-vjeçari tradhtoi veten duke publikuar foton e tij në internet. Gjetjet zbuluan se ai ishte fshehur në Terzigno, ku dhe u prangos.

Nuk dihet se çfarë ndodhi me të më pas, derisa dje u arrestua nga policia në Tiranë.