Në Liban sot në mëngjes filluan zgjedhjet historike parlamentare, të parat pas nëntë vitesh që do të mbahen në këtë vend të Lindjes së Mesme.
Më shumë se 3.6 milionë votues të regjistruar sot do të zgjedhin përbërjen e re parlamentare prej 128 vendesh, për të cilat kanë kandiduar gjithsej 917 kandidatë.
Zgjedhjet po mbahen nën masa të shtuara të sigurisë ndërsa rezultatet do të shpallen javën e ardhshme.
Këto janë zgjedhjet e para parlamentare në Liban pas vitit 2009 dhe ato gjithashtu janë të parat që kur Libani miratoi një ligj të ri zgjedhor vitin e kaluar.
Ligji i ri ndryshoi sistemin e mëparshëm me të cilin fituesit i përkiste gjithçka dhe kaloi në përfaqësimin proporcional me të cilin fitohen vende në parlament në bazë të pjesëmarrjes dhe votave të fituara.
Beteja më e madhe zgjedhore pritet në mes të aleancës së udhëhequr nga kryeministri aktual Saad Al-Hariri i cili përkrah marrëdhëniet e mira me Arabinë Saudite, ndërsa kundërshton regjimin në Siri, dhe Hezbollahut i cili ka lidhje të ngushta me Iranin dhe regjimin sirian.
Bashkimi Evropian tha se ka vendosur vëzhgues të zgjedhjeve në të gjitha rrethet e votimit të Libanit.
Çështjet kryesore me të cilat ballafaqohet parlamenti i sapozgjedhur përfshijnë fatin e një numri të madh refugjatësh që kanë hyrë në vend që nga shpërthimi i luftës civile siriane dhe vështirësive të vazhdueshme ekonomike. /Telegrafi/