Shtetet e Bashkuara do t’i lejojë dhjetëra mijëra azilkërkues që nga Meksika të futen në SHBA dhe aty të presin verdiktin e gjykatës sa i përket marrjes së azilit.
Afro 25 mijë azilkërkuesit e parë që aktualisht janë në Meksikë, pritet të futen në Shtetet e Bashkuara gjatë 19 shkurtit, kanë bërë të ditur autoritetet meksikane, transmeton Telegrafi.
Do të hapen tri pikë kalime kufitare. E kjo është një prej vendimeve të marra nga administrata e re, e që ajo e kaluar ua kishte ndaluar hyrjen azilkërkuesve në SHBA.
Rreth 70 mijë emigrantë aktualisht kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara. Ndryshimi i politikës së emigracionit të Donald Trumpit, ishte një prej premtimeve më të përfolura gjatë fushatës së presidentit aktual Joe Biden.
Emigrantët që kishin kërkuar azil në SHBA, sipas politikave të Trumpit janë dashur të presin në qytetet përgjatë vijave kufitare me Meksikën, që ka rënduar procesin e azilkërkuesve të cilët e kishin të vështirë të komunikojnë me avokatët – duke iu ekspozuar konflikteve. /Telegrafi/