Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka komentuar ndryshimet në kabinetin qeverisës.
“Për mua është thelbësore të ndryshojë filozofia e qeverisjes, e cila duhet të jetë një filozofi bashkëpunuese. Bashkëpunuese me opozitën, bashkëpunuese me grupet e interesit, për bërjen e ligjeve më të mira dhe zbatimin e tyre”, u shpreh Meta.
“Kjo do të na ndihmojë që të jemi edhe më reflektues për të sjellë ato ndryshime, për të cilat në radhë të parë kanë nevojë njerëzit më në vështirësi, kanë nevojë një pjesë e madhe e shqiptarëve për të dalë nga pragu i varfërisë në të cilin ndodhen sot, por aq më tepër për të zgjeruar e për të konsoliduar shtresën e mesme në vendin e shoqërinë tonë, që është domosdoshmëri për të evituar një ndarje sociale, e cila mund të bëhet shumë e rrezikshme për shoqërinë tonë”, tha ai.
I pyetur nëse mund të jenë këto ndryshime që do ta shtyjnë më tej zgjidhjen në “kabinetin Rama”, Meta u përgjigj: “Nuk është kjo çështja më e rëndësishme. Mund të them që mund të ndryshohet çdo gjashtë muaj ministri i Bujqësisë, por në rast se nuk ndryshohen politikat për zhvillimin e bujqësisë, për mbështetjen e bujqësisë, ndryshimet e emrave, nuk u vlejnë as fermerëve, as ekonomistëve të vendit. Dhe për këtë nuk dua të lodhem shumë. Kam kohë që e kërkojë të ndjekim modelin e Maqedonisë, që është kaq afër Shqipërisë dhe Korçës.
“Sa për përfshirjen në kabinet të dy ministrave nga Kosova, Meta tha: “Nuk është e rëndësishme se nga vijnë e si vijnë apo si ikin ministrat. Për mua është e rëndësishme të reflektojmë dhe të përmirësojmë raportin me të vërtetën dhe me njerëzit”, tha Presidenti Ilir Meta. /Telegrafi/