Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar pas miratimit në Kuvend të rezolutës për dialogun me Serbinë, duke thënë se me këtë akt është përjashtuar mundësia e ndërtimit të unitetit.
Haziri, përmes një postimi në Facebook, duke iu drejtuar koalicionit qeverisës ka thënë se”dialogu i brendshëm dhe rezolutat e ofruara nuk iu mjaftuan, por i shikuat numrat në sallë dhe kërkuat të tregoni forcën e numrave. Por, forca e numrave nuk iu siguron ratifikim”.
“E keni ndarë politikën e Kosovës, mirëpo nuk mund ta ndani Kosovën kurrë. Ajo do të bëhet edhe më e madhe dhe më unike”, ka shkruar Haziri.
Postimi i plotë i Hazirit:
“Dy fjalë për ata që po e ftojnë LDK’në pas miratimit të Rezolutës
E miratuat rezolutën sipas ‘kompromiseve’ mes PAN’istave e PSD. Na përjashtuat nga mundësia e ndërtimit të unitetit.
Shkelët mbi vullnetin e ofruar politik në tryezat politike.
Dialogu i brendshëm dhe rezolutat e ofruara nuk iu mjaftuan, por i shikuat numrat në sallë dhe kërkuat të tregoni forcën e numrave. Por, forca e numrave nuk iu siguron ratifikim.
E keni ndarë politikën e Kosovës, mirëpo nuk mund ta ndani Kosovën kurrë. Ajo do të bëhet edhe më e madhe dhe më unike. Për këtë ju suguroj. Ashtu siç e siguruat ekipin e presidentit Thaçi! Puna e mbarë pa Ne!”, ka shkruar Haziri. /Telegrafi/