Telegrafi

Pas miratimit në Qeveri Ligji për Trepçën në Kuvend

Projektligji për Trepçën pritet të miratohet sot ose nesër paradite në Qeveri, kurse të premten e kësaj jave pritet të shkojë në Kuvend, ku do të bëhet leximi i parë i projektligjit. Kështu ka thënë kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, gjatë një takimi të Komisionit, ku anëtarët shprehën kritika për vonesa të paarsyeshme.
Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, edhe pse gjatë mbledhjeve të kaluara të Komisionit dukej shumë komod, në këtë mbledhje ishte mjaft i sikletshëm për shkak të afatit kohor.

“Për shkak të disa rregulloreve që po u dashka me ndejtë dy javë te presidenti, tetë ditë te kryetari i Kuvendit, fatkeqësisht neve na kufizon shumë kohën, por ne duhet të mobilizohemi në maksimum që këtë kohë që e kemi me e shfrytëzua sa më mirë”, tha Mustafa

Ai i ftoi anëtarët e komisionit të mobilizohen në mënyrë që të përgatiten për seancën e së premtes.
“Sipas një skenari që e ka miratua edhe Kryesia e Kuvendit dje, të premten pasdite mund të jetë në rend dite leximi i parë i projektligjit. Kështu që ne duhet të enjten të takohemi ta diskutojmë ngadalë, pastaj pas leximit të parë do të bëjmë një agjendë qe ne ti marrim parasysh të gjitha këto”, thekson Mustafa.

Anëtari i Komisionit, Besim Beqaj, nga PDK-ja i ftoi anëtarët që të punojnë nëse ka nevojë pa u ndalë.
“Jo të enjten, por nëse e merrni sot, me u taku nesër tërë ditën, me u taku pasnesër tërë ditën. Ne nuk do të kursehemi në kuptimin e punës të cilën do të bëjmë. Por në asnjë rrethanë nuk do të bëjmë punë sa për sy e faqe”, tha Beqaj.

Kurse, sipas kryetarit Mustafa do të mbahet edhe dëgjim publik, ndoshta diskutime në njësitë e Trepçës, si dhe do të konsultohen ekspertë.

Kurse anëtarët e opozitës nga komisioni shprehën kritika për vonesat e paarsyeshme të qeverisë për të sjellë në rend të ditës një ligj shumë të rëndësishëm për vendin, kurse tani me nguti po duan të kryejnë punë.

Enver Hoti nga Nisma për Kosovën, shprehu dyshime se në prapavijë të këtyre vonesave qëndrojnë interesa të ndryshme.
Ndryshe, vendimi i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme që ishte marrë në janar të 2015-ës i pati alarmuar të gjithë, pasi i njëjti e kishte caktuar datën 2 shkurt të atij viti për futjen e “Trepçës” në proces të likuidimit.
Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa kishte marrë vendim urgjent për kalimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike, i cili i hapte rrugë bërjes së “Trepçës” ndërmarrje publike.

Por, ministrat serbë të Kosovës bashkë me ministra të Qeverisë së Serbisë që ishin tubuar në Beograd, nga atje patën kërcënuar Qeverinë e Kosovës me prishje të stabilitetit politik, greva, e dalje nga koalicioni qeverisës.

Të nesërmen, kur pritej që në seancën e jashtëzakonshme të thirrur me kërkesë të qeverisë, të votohej ky projektligj, kryeministri Mustafa e kishte tërhequr atë, duke thënë se ka qenë një hap i ngutur.

Ndërkohë, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ia kishte zgjatur afatin Qeverisë së Kosovës deri më 2 nëntor të këtij viti, për përgatitjen e planit të riorganizimit për të parandaluar futjen e “Trepçës” në likuidim. /RadioKosova/Telegrafi/