Site icon Telegrafi

Pas lëndimit, Robben rikthehet te Groningen, Muller: Eja me ne në Paris si xhoker

Arjen Robben është rikthyer të Groningen, pas një lëndimi që kishte pësuar dhe mbeti disa javë jashtë fushës.

Skuadra e ish-anëtarit të Bayern Munichut pësoi humbje 2-0 në shtëpi nga Heerenveen në kuadër të javës së 29-të në Eredivisie.

Robben fillimisht ishte pensionuar nga futbolli, mirëpo iu afrua shansi që të luante aty ku edhe e filloi karrierën.

Holandezi nuk e refuzoi rikthimin në Gronigen, mirëpo disa javë më parë pësoi lëndim dhe u detyrua të qëndronte jashtë fushës.

Mirëpo në të dielën e javës që shkoi, Robben u rikthye në fushë në minutën e 78-të, duke u futur në vend të Alessio Da Cruz.

Lojtari nuk arriti të ndihmonte skuadrën që të merrte së paku një barazim, mirëpo ishte i lumtur me rikthimin.

Me një postim në rrjetet sociale, Robben u shpreh i lumtur me rikthimin e tij në fushë, derisa Thomas Muller i lëshoi një koment në foton e postuar në Instagram.

“Mirë që u riktheva në fushë. Faleminderit për të gjithë mbështetjen”, ka shkruar holandezi.

Në anën tjetër, Muller ia ktheu: “Arjeeen me rikthimin në kohën e duhur, eja me ne në Paris si xhoker”. Gjermani iu referuar ndeshjes ndaj PSG-së në Ligën e Kampionëve, aty ku pësuan humbje 3-2 në takimin e parë që u zhvillua në “Allinaz Arena”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version