Telegrafi

Pas largimit të Donikës, në AAK aderojnë 52 gra

Sot në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kanë aderuar 52 gra, të profileve e të profesioneve të ndryshme dhe nga të gjitha pjesët e Kosovës.

Shumë prej tyre janë me shkollim superior, dhe deri me sot të paangazhuara politikisht, thuhet në njoftimin e AAK-së.

Në pritjen që iu është organizuar në selinë qendrore të AAK-së në Prishtinë, lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka thënë se forcimi i AAK-së me anëtarë të rinj, është një tregues i vlerësimit të opozitarizmit që po bën kjo parti, si dhe politikave të qarta në interes të qytetarit, pavarësisht bindjeve politike.

“Në arsyetimin e të sapoaderuarave në AAK, shumë nga zonjat që prej sot janë bërë pjesë e këtij subjekti politik, thanë se AAK po shndërrohet në një adresë serioze politike në vend dhe konsistenca e saj në mbrojtjen e çështjeve që janë të drejta, kanë ndikuar që ato të përcaktohen për këtë platformë politike”, thuhet në njoftimin e AAK-së. /Telegrafi/